Wilder: Nuk tërhiqem nga 4 nëntori, jam në pritje të rivalit
Boksieri amerikan Deontay Wilder, kampioni i botës në peshat e rënda në kategorinë WBC, është ende në pritje të mësojë emrin e rivalit për duelin e 4 nëntorit, pas daljes pozitiv të Luis Ortiz, ndaj të cilit do të mbronte titullin kampion. Kubanezi dështoi në një test antidoping dhe pritet të dënohet 2 vjet, ndaj WBC-ja pritet të caktojë një tjetër boksier për të ngjitur në ring. Wilder ka bërë me dije se do të duelojë me çdo kusht më 4 nëntor, në Nju Jork, ashtu sikurse ishte planifikuar, ndaj i ka kërkuar drejtuesve të WBC-së të gjejnë sa më shpejt rivalin e radhës.
“Jam këtu për t’ju thënë se nuk tërhiqem nga ideja për të dueluar më 4 nëntor. Së shpejti do të kem informacione të reja për ju, të shohim se çfarë do të ndodhë . Po përpiqem që ta zgjidh sa më shpejt që të jetë e mundur këtë ngërç që është krijuar, për të gjetur një rival”, tha 31-vjeçari Wilder, që në karrierën e tij si profesionist nuk ka asnjë humbje (27 fitore, 23 prej tyre me KO). “Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë, por di që data 4 nëntor është e prenotuar. Tani i takon WBC të marrë një vendim. Unë i kam bërë një kërkesë asaj dhe jam në pritje”, tha Wilder.