Wilder: Nuk kam nevojë për emrin e Joshua për publicitet
Boksieri amerikan Deontay Wilder ka hedhur poshtë akuzat e Eddie Hearn, menaxherit të Anthony Joshua, sipas së cilit amerikani përdor emrin e rivalit britanik për të fituar më shumë popullaritet dhe shitur sa më shumë PPV (pay per view-paguaj për ta parë). Edhe pse të gjithë shprehen se duan të shohin një duel të madh të peshës së rëndë mes Joshua e Wilder, ky i fundit ka deklaruar se nuk është aspak i interesuar për këtë përballje në rast se nuk paguhet sa duhet.
“Unë nuk jam fokusuar te Joshua dhe tek ajo që thotë ai apo njerëzit e tij. Unë nuk kam nevojë për emrin e tij për të bërë famë, unë jam një boksier i madh pasi i mposht të gjithë. Nuk më intereson emri i tij, pasi statuset e mia janë fitoret e mia në ring”, tha Wilder. Ai shtoi se është fokusuar te dueli ndaj Tyson Fury, me të cilin do të përballet më 1 dhjetor, në stadiumin “Staples Center” të Los Anxhelosit, ku dhe do të mbrojë titullin kampion të kategorisë WBC.