
Wilder konfirmon praninë e tij në Irlandë
Boksieri amerikan Deontay Wilder (40 fitore dhe asnjë humbje në karrierë), kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBC, ka konfirmuar se do të jetë ditën e shtunë në Belfast, për të ndjekur “live” duelin e boksit mes Tyson Fury (26 fitore e asnjë humbje) dhe italianit Francesco Pianeta. Në nëntor të këtij viti pritet të zhvillohet dueli mes Wilder dhe Fury, të dy të pamposhtur në ring, ndaj dhe amerikani do të jetë në Britaninë e Madhe për të konfirmuar marrëveshjen. Sfida mes Fury dhe Wilder do të zhvillohet më 10 ose 17 nëntor, në Amerikë.
Lajmin e pranisë së Wilder në Belfast e ka konfirmuar vetë boksieri kampion bote në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, duke shkruar: “Belfast, Irlandë e Veriut. Do të jetë një natë e madhe dhe mezi pres të jem aty. Bronze Bomber do të jetë në ndërtesë këtë fundjavë”, ka shkruar Wilder në rrjetet sociale. Tyson Fury ka deklaruar prej kohësh se ka arritur marëveshjen me boksierin amerikan dhe do të duelojë për t’iu rrëmbyer titullin e kategorisë WBC. Wilder duhej të përballej me një tjetër britanik këtë vit, kampionin tjetër të botës Anthony Joshua, por marrëveshja mes tyre nuk u arrit.