Wilder kërcënon Joshua: Mund të vraposh e fshihesh, një ditë do të të kap
Pasi mbrojti titullin kampion bote në peshat e rënda në kategorinë WBC, boksieri amerikan Deontay Wilder i është drejtuar sërish për duel britanikut Anthony Joshua, duke i kërkuar këtij një përballje, për të unifikuar titujt kampionë. Një sfidë që mund të zhvillohet në vitin 2018, me Joshua që mban titujt e kategorive IBF dhe WBA. “Një ditë, fatet tona do të kryqëzohen. Unë them, përse të presim, le ta zhvillojmë këtë sfidë sa më shpejt, tani. Vetëm kaq mund të them, unë kërkoj unifikimin e titujve në një person të vetëm. A është ai gati për sfidën?”, ka qenë deklarata e dhënë sot nga Deontay Wilder.
“Unë dua t’i tregoj edhe atij se sa boksier i keq jam në ring. Nuk doa t’ia vërtetoj këtë gjë vetes, por botës. Shumë njerëz nuk më besojnë për shumë gjëra që unë bëj në jetën time, apo që nuk kanë lidhje me mua. Unë gjithnjë jap më të mirën kur dueloj, ndaj gjithnjë ftoj më të mirët të përballen me mua. Dhe më të mirët nuk kanë pranuar ende”, u shpreh më tej Wilder, që pak ditë më parë mbrojti titullin ndaj Bermane Stiverne. “Mjaft la menaxherin e vetë të flasë (Eddie Hearn), le të vijë dhe të përballet me mua. Joshua, mund të vraposh sa të duash dhe të fshihesh, një ditë unë do të të kap”, u shpreh Deontay Wilder.