Wilder: Ftoj britanikët të duelojnë me kampionin e vërtetë amerikan
Boksieri amerikan Deontay Wilder, kampion i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC, u shpreh se me shtyrjen e revanshit ndaj britanikut Tyson Fury, ai ka të tjera plane për të ardhmen. Aty përfshihet edhe sfida ndaj britanikut tjetër Anthony Joshua, kampionit të botës në këtë Divizion në kategoritë IBF, WBA e WBO. Tashmë që planet ndryshuan ai e sheh së të mundshëm unifikimin e titujve kampionë në një boksier të vetëm.
Wilder pritet që më 18 maj të duelojë ndaj Dominic Breazeale dhe më pas është i lirë të përballet me Joshua. “Pse jo, tani që letrat në tavolinë ndryshuan mund t’i rikthehemi sfidës me Joshua. Por do të jetë një përballje 50-50 dhe jo ashtu siç duan ata. Ky ka qenë dhe mbetet kushti im i vetëm. Tani që ka ardhur në Amerikë le të trokasë edhe në derën time, ai e di se ku ndodhem. Unë jam kampion i pamposhtur i botës”, tha Wilder.
Duke folur më tej për tërheqjen e Fury nga revanshi, Wilder shtoi: “Tyson ka frikë, pasi e di që këtë herë nuk do të ngrihet më nëse bie KO. Unë synoja ta hidhja KO që në sfidën e parë, por ai u ngrit dy herë. Në rastin tjetër që do të jemi përballë ky gabim s’ka për të ndodhur më. Por ai ka frikë, ndaj vendosi të shtyjë revanshin. Unë i ftoj të gjithë britanikët të përballen me kampionin amerikan dhe jo me boksierët e panjohur amerikanë”, tha Wilder.