Wilder e Fury tur për të promovuar sfidën, të hënën konferenca e parë e shtypit
Dueli mes boksierit amerikan Deontay Wilder, kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBC dhe atij britanik Tyson Fury tashmë është i pashmangshëm. Dy protagonistët do të dalin më datën 24 shtator (e hënë) para mediave në konferencën e parë për shtyp, e cila do të zhvillohet në Londër. Por kjo konferencë do të pasohet edhe nga dy të tjera, që do të zhvillohen në Nju Jork dhe Los Anxhelos ditët në vijim. Dy boksierët kanë vendosur që të zhvillojnë një tur për të promovuar eventin e tyre, ashtu siç patën bërë një vit më parë McGregor e Mayweather, që zhvilluan disa takime me mediat.
Lajmin e konfirmoi Frank Warren, promotori e menaxheri i Fury, që tha se për t’u vendosur ka mbetur vetëm data (1 apo 8 dhjetor) si dhe vendi ku do të zhvillohet sfida. “Ky nuk është një problem që na shqetëson shumë, varet se cili vend do të ofrojë më shumë parà”, tha Warren.
“Të hënën do të zhvillojmë konferencën e parë për shtyp, Wilder do të mbërrijë në Londër dhe do të nisim një tur promocional të këtij eventi. Do ta nisim me Londrën, më pas do të jemi në Nju Jork dhe Los Anxhelos. Aty do të mësoni të gjitha detajet e kësaj sfide”, tha më tej Warren. Ky tur do të nisë dy ditë pas duelit tjetër të peshës së rëndë, ku kampioni tjetër i botës Anthony Joshua do të zhvillojë më 22 shtator në “Wembley” ndaj rusit Alexander Povetkin.