Wilder: Do të jetë viti im, do t’i hedh të gjithë britanikët në tapet
Boksieri amerikan Deontay Wilder, kampioni i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC, ka deklaruar sot se është gati për revanshin ndaj britanikut Tyson Fury. Wilder, 40 fitore e 1 barazim, në karrierën e tij, synon që këtë vit të bëjë “boom” në sportin e dorezave. Ai i ka të qarta planet e tij për këtë vit, ku në axhendë nuk është vetëm Tyson Fury por edhe një oksieri britanik tjetër, Anthony Joshua.
“Dueli me Fury do të zyrtarizohet shumë shpejt. Në këto momente që flasim sfida është 100% e sigurtë. Unë jam një artist I fitoreve me “KO” dhe këtë herë ky do të jetë rezultati i sfidës së dytë me Tyson”, u shpreh Deontay Wilder. Sfida e tij e parë me Fury u mbyll në barazim, ndaj boksierët janë gati të kryqëzojnë sërish dorezat për një tjetër sfidë epike në ring. Ashtu si e para edhe kjo përballje e dytë pritet të zhvillohet në Amerikë, këtë herë në Las Vegas.
Më tej, Wilder shprehet se pasi të “sistemtojë” Fury do të nisë negociatat me një tjetër boksier britanik, kampionin tjetër të botës së këtij divizioni, Anthony Joshua. “Si kurrë më parë ky Divizion nuk ka qenë kaq interesant dhe pretendentët janë të shumtë. Joshua nuk mund të fshihet më pas fjalëve, por do të përballet direkt me mua për çdo gjë. Në gjysmën tjetër të 2019-ës ai do të jetë me çdo kusht përballë meje në ring. Boksierët britanikë do të dorëzojnë titujt që kanë dhe do të pësojnë humbjet e para në ring”, tha Wilder.