Wilder braktis ringun për kafazin, sfidon kampionin e UFC-së, Brock Lesnar
Që kur dueli i 26 gushtit mes Floyd Mayweather e Conor McGregor theu tabutë e një përballje mes një sportisti të boksit dhe një të UFC-së, janë të shumtë ata që kanë dëshirë të provojnë të njëjtën gjë. Kampioni i botës në peshat e rënda në boks Deontay Wilder ka deklaruar se është gati të përballet me ish-kampionin e peshës së rëndë në artet marciale mikse Brock Lesnar. Një sfidë që ndryshe nga ajo mes Mayweather e McGregor, që u zhvillua në ring, do të organizohej në kafaz.
Wilder, kampioni i botës në kategorinë WBC (38 fitore e asnjë humbje), do të mbrojë titullin më 4 nëntor ndaj Luis Ortiz, por vitin tjetër mund të duelojë në kafaz. “Nëse oferta që më vjen nga UFC-ja do të ishte e mirë, pa dyshim që do të dueloja ndaj Lesnar në kafaz. Do të shkoj në kafaz dhe do ta mund. Unë jam një luftëtar i talentuar edhe kur bëhet fjalë për një duel në UFC. Do ta fitoja pa asnjë problem këtë sfidë”, u shpreh Wilder, por nuk dihet nëse kjo përballjë do të bëhet ndonjëherë realitet.