WBC urdhëron Wilder: Titullin kampion duhet ta mbrosh ndaj Joshua
Presidenti i WBC (World Boxing Championship), Mauricio Sulaiman, ka deklaruar sot se e mirëpret një përballje të madhe në peshën e rëndë mes kampionit të këtij Divizioni, Deontay Wilder dhe kampionit tjetër Anthony Joshua, që mban titujt e kategorive WBA, WBO dhe IBF. Për momentin dihet vetëm që Joshua do të duelojë më 22 shtator ndaj rusit Alexander Povetkin, i mandatuar nga WBA, por edhe WBC mund të bëjë të njëjtë gjë: Të urdhërojë Wilder të duelojë ndaj Joshua gjatë 2019-ës.
Joshua kërkon me çdo kusht të bëhet kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë dhe i ka kërkuar Wilder që të duelojnë së bashku me 13 prill në stadiumin “Wembley” të Londrës. Por Wilder pritet që sfidën e radhës ta zhvillojë në nëntor ose dhjetor të këtij viti ndaj Tyson Fury. “Ne kemi bërë gjithçka ishte në dorën tonë që kjo sfidë e madhe të ndodhë. Do të ishte fantastike nëse Joshua dhe Wilder do të duelojnë mes tyre”, tha Sulaiman për “Sky Sports”.
Pavarësisht se Wilder synon ta mbrojë titullin ndaj Fury,në Las Vegas, presidenti i WBC-së tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë marrëveshje. “Ne po presim që ata të na kontaktojnë dhe të na e konfirmojnë marrëveshjen. Ne për momentin do të mandatojmë Dominic Breazeale dhe jo Dillian Whyte, që mban titullin e argjendtë të kategorisë sonë. Por ende po presim një reagim nga Wilder”, u shpreh Mauricio Sulaiman.