WBC urdhëron revanshin mes Golovkin e Alvarez: Duam një fitues
WBC (World Boxing Council), përmes një deklarate të bërë publike sot, ka urdhëruar boksierët Gennady Golovkin dhe Saul “Canelo” Alvarez që të zhvillojnë sa më shpejt revanshin mes tyre, duke qenë se sfida e parë u mbyll në barazim. Boksieri kazak Golovkin mban titullin kampion bote të peshës së mesme të kësaj kategorie, si dhe ato të kategorive WBA e IBO. Në përballjen ndaj meksikanit Alvarez, një gjyqtar i dha fitoren Golovkin, një ia dha Alvarez dhe njëri e vendosi atë barazim, duke bërë që kazaku të mbajë titujt kampionë.
Presidenti i WBC, Mauricio Sulaiman, tha: “E gjithë bota dëshiron të shohë sërish këtë sfidë, pasi duan edhe një fitues. Ndaj dy boksierët duhet të përballen sa më shpejt mes tyre”. Të dy boksierët kanë rënë dakord për ta zhvilluar revanshin, por nëse Golovkin synon të ngjitet në ring që këtë vit, Alvarez kërkon ta shtyjë atë për pranverën e 2018-ës. “Fituam 8 raunde në përballjen e parë dhe nuk e fituam duelin, pasi gjyqtarët dhanë një vendim të gabuar. Ndaj ne e dëshirojmë këtë revansh për të treguar se jemi kampionë”, tha Tom Loeffler, menaxheri i Golovkin.