Vuqitërna debuton me sukses në profesionalizëm
Boksieri me prejardhje nga Rahoveci, por që jeton dhe ushtron në Austri, Habib Vuqitërna gjatë fundjavës ka debutuar me sukses në boksin profesionist duke mposhtur me KO serbin Milosh Dovedan, edhe atë në raundin e parë. Që nga fillimi Vuqitërna dominonte në ring dhe kërkonte triumfin dhe këtë e arriti me plot merite. Ai ka falënderuar të gjithë ata që i ndihmuan të krijohet si boksier por edhe për tu përgatitur për këtë ndeshje.
“I falënderoi të gjithë që më mbështetën nëpërmjet medieve sociale por edhe fansave në palestër që ishin. Poashtu falënderoi ekipin tim dhe trajnerin, si dhe familjen e sigurisht edhe sponsorët e mi: KALUKO, Tonstube, Taerget gmbh, Jb-Transport – Tomas Gallhuber, Roman Pallesits e Top ten. Unë ju premtoj se nuk do të ndalem deri sa të arrij në majat botërore, shpresoj se do ja arrij qëllimin”, tha Habibi për agjencinë për sporte luftarake “ArenaRing”. Cekim se djaloshi shqiptar po ushtron tek klubi Ging Frei Gym E.S. ku trajner është eksperti i boksit, Enes Osmanoviç por shumë i ndihmon edhe boksieri i mirënjohur shqiptar Shpëtim Shala.