Vllaznia, pas titullit me të rriturit rrëmben edhe atë të 18-vjeçarëve
Pasi rrëmbeu dy javë më parë titullin kampion për të rritur, skuadra e Vllaznisë fitoi edhe titullin për kategorinë U-18 në boks, në përfundim të Kampionatit Kombëtar, që u zhvillua në qytetin e Shkodrës. Ekipi shkodran nxori 5 kampionë nga 7 pesha ku u zhvilluan garat e këtij kampionati, duke triumfuar në peshën 56kg me Shpëtim Bajoku, 60kg me Samir Skutina, 64kg me Patriot Berami, 69kg me Xhoi Eljazi dhe 75kg me Besart Pireva në peshën 75kg. Boksierët e tjerë kampionë janë: Muhamed Qamili i Apolonisë (pesha 52kg) dhe Kejvin Ndreu i Tiranës (pesha 81kg).
Vllaznia per te 21-n here kampione e Shqiperise me te rriturit
Ky dominim absolut i boksierëve të Vllaznisë tregon për punën e mirë që bëhet te kjo skuadër nga trajneri Jozef Sermi, që tregoi se në këtë kategori moshe nuk ka rivalë. Vlerësime kanë ardhur edhe në nivelin individual për boksierët shkodranë, me Asmir Skutina, i vlerësuar si boksieri më teknik, ndërsa boksieri më i mirë është vlerësuar Patriot Berami. Vlerësime pati edhe për fierakët Rudolf Mata (boksieri më luftarak) dhe Muhamet Qamili (boksieri i perspektivës). Pra, një dominim absolut i boksit shkodran këtë vit, që tregon se në Shqipëri nuk ka rivalë.