Vitali Klitschko fton Joshua në ring: Dua të hakmerrem për vëllanë tim
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, boksieri ukrainas Vitali Klitschko, i tërhequr nga boksi prej vitesh dhe tashmë 46 vjeç, ka deklaruar sot është gati të duelojë me britanikun Anthony Joshua. Një përballje që për të do të jetë si një revansh, pasi Vitali kërkon të hakmerret ndaj Joshua, për humbjen e vëllait të tij Wladimir. Më 29 prill të këtij viti, në “Wembley” të Londrës, britaniku Joshua fitoi me “KO teknik” ndaj Wladimir Klitschko. Për muaj me radhë u përfol se revanshi është i mundshëm, por Wladimir vendosi të tërhiqej përfundimisht nga sporti.
Dhe duket se vendin e tij në këtë revansh do ta zërë vëllai më i madh Vitali, që kërkon të mbrojë vëllanë më të vogël. “Nuk është hera e parë që unë dueloj ndaj një boksieri që ka mundur vëllanë tim në ring. Wladimir humbi duelin ndaj Corrie Sanders, të cilin unë më pas e hodha “KO” në tapet në sfidën tjetër, pasi unë e mbroj vëllanë tim. Të dueloj ndaj Joshua është dëshira më e madhe që kam aktualisht. Unë kam ndjesinë se mund të bëj një paraqitje më të mirë në ring. Unë do ta mund Joshua dhe do ta rikthej titullin pranë familjes”, tha Vitali Klitschko.
Duke iu rikthyer sfidës së 29 prill, Vitali, që aktualisht i ka hyrë politikës në Ukrainë, shton: “Përballja mes Joshua e Wladimir ishte e jashtëzakonshme. Unë ndihem pak fajtor, pasi i thashë vëllait tim në pushimin mes raundeve që të mos ishte shumë aktiv pas raundit të gjashtë, kur Wladimir hodhi Joshua në tapet. Unë nuk prisja që një sportist kaq muskuloz si Joshua të rikuperonte kaq shpejt fizikisht në ring. Nëse nuk do t’i thoja Wladimir të ulte ritmin, ai do ta kishte hedhur “KO” Joshua dhe do ta fitonte atë sfidë”, u shpreh Vitali Klitschko, që shtoi se i mungon ringu.