Vazhdojnë xhirimet e filmit “Kampioni”
Dje, në Shkup janë realizuar edhe xhirimet e pjesës së tretë të filmit dokumentar “Kampioni” kushtuar kampionit olimpik Shaban Tërstena. Në këtë pjesë të dokumentarit kanë folur gazetarët sportiv, të culet e kanë ndjekur Tërstenën gjatë shkëlqimit dhe arritjes së sukseseve gjigante në sportin e mundjes si Agim Kasapolli, Zoran Mihajlov, Anton Sereci, Atanas Kostovski, pastaj edhe kryetari i KOM, Vasil Tupurkovski si dhe prof.dr. Vanço Cifliganec, ish kryetar i Federatës së mundjes së Maqedonisë (FMM).
“Sot në kë të ditë të bukur me diell filloi xhirimi i pjesës së tretë të filmit ‘Kampioni’, të cilin e realizon ekipi i udhëhequr nga regjisori dhe skenaristi Igor Ivanov- Izi, ndërsa producent është Toni Salkovski. Në këtë film bëhet fjalë dhe në mënyrë autentike do të pasqyrohet jeta ime sportive, një film dokumentar i cili do të regjistron në shirit tërë rrugëtimin tim jetësor në sport, një rrugë e mbushur vetëm me suksese, sigurisht edhe përpjekje dhe mundime të parreshtura.
Në këtë dokumentar flasin njerëzit- protagonist të asaj kohe, të cilët në mënyrë direkte apo indirekte kanë qenë afër dhe kanë ndjekur jetën time sportive. Ndër emrat që duhet veçuar janë: kryetari i Komitetit Olimpik të Maqedonisë (KOM), Vasil Tupurkovski, Agim Kasapolli (korrespondent legjendar i sportit nga Prishtina), poashtu legjendat tjera të gazetarisë sportive nga Maqedonia: Zoran Mihajllov, Atanas Kostovski, komentatori dhe doajeni i gazetarisë sportive, Anton Sereçi si dhe prof.dr. Vanço Cifliganec, ish kryetar i Federatës së mundjes së Maqedonisë (FMM).
Të gjithë të sipërpërmendurit sikur që e theksuam, kanë qenë përcjellësit, bashkëudhëtarët e mi në karrierën sportive dhe rrjedhimisht iu takon të shprehin përshtypjet e tyre. Prandaj ata sot ishin të ftuar special në xhirimin e pjesës së tretë të inçizimit të këtij filmi, me ç’rast patën mundësinë të evokojnë kujtimet, përjetimet dhe të gjitha ngjarjet e tjera që kanë shënuar jetën time sportive. Dhe, mbi të gjitha të njëjtit kanë raportuar nga tre Olimpiadat në të cilat unë kam qenë pjesëmarrës”, shkruan Shaban Tërstena, kampioni olimpik në një postim të tij në facebook.