Usyk do të bëhet i mandatuar nga WBO për të dueluar ndaj Joshua
Divizioni i peshës së rëndë mund të ndryshojë shumë shpejt fytyrë pas hyrjes së ukrainasit Oleksandr Usyk. Kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën “cruiserweight” (pesha deri 91kg), do të debutojë ndaj Carlos Takam në peshën e rëndë, duel që do të zhvillohet më 25 maj në Amerikë.
Triumfi në këtë sfidë mund t’i japë ukrainasit të drejtën të duelojë ndaj kampionit të botës në peshën e rëndë Anthony Joshua. WBO synon të mandatojë Usyk për një duel ndaj Joshua në gjysmën e dytë të këtij viti (britaniku mban titullin e kësaj kategorie). Çka do të ishte një surprizë e vërtetë për Divizionin e peshës së rëndë.
Usyk ka deklaruar që më parë se synon të jetë kampion i padiskutueshëm i botës edhe në peshën e rëndë, aty ku mbretërojnë Joshua e Wilder. Pa harruar edhe Tyson Fury, çka e bën mjaft interesant garën për titujt kampionë bote në këtë Divizion.
“Rregullat e WBO-së e lejojnë Usyk që të mandatohet për titullin kampion bote ndaj Joshua. Nëse ukrainasi fiton ndaj Takam, do të lërë zyrtarisht titullin e kategorisë WBO në Divizionin “cruiserweight” dhe fiton automatikisht të drejtën për titullin e peshës së rëndë. Pra, një duel ndaj Joshua”, tha Alex Krassyuk, menaxheri i Oleksandr Usyk.