UFC kërcënon Pacquiao
Presidenti i UFC-së, Dana White, ka reaguar ashpër sot gjatë një konference për shtyp, pas zërave të ditëve të fundit se përfaqësuesit e boksierit filipinas Manny Pacquiao janë në bisedime me stafin e Conor McGregor, për një duel boksi mes tyre në prill të 2018-ës. Numri 1 i arteve marciale mikse është shprehur se askush nuk ka të drejtë të negociojë me sportistin apo me stafin e tij, për sa kohë ai është nën kontratë me UFC-në dhe kjo gjë vlen edhe për irlandezin.
“Më duket e çuditshme kjo që po dëgjoj, pasi Conor është nën kontratë me UFC-në dhe askush nuk ka të drejtë të negociojë me të, por direkt me mua për një duel me të. Nëse kjo që kam dëgjuar është e vërtetë, atëherë do të hedh në gjyq Pacquiao dhe ata që po negociojnë në emrin e tij”, u shpreh sot Dana White. Ai po pret që irlandezi të rikthehet në kafaz vitin tjetër, por ende nuk po gjen një marrëveshje me të, duke qenë se McGregor kërkon një shumë të madhe parash për të dueluar në oktagon.