UFC-232 falënderon Los Anxhelosin për mikpritjen: Biletat e shitura, event i jashtëzakonshëm
Gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Los Anxhelos, dy ditë para eventit UFC-232, që zhvillohet më 29 dhjetor, presidenti i arteve marciale mikse Dana White u shpreh se pavarësisht se ndryshoi vendi i eventit (duhej të zhvillohej në Las Vegas), suksesi është i garantuar. White tha se biletat janë shitur brenda pak orësh, që nga moment që ato dolën në shitje.
“Një ditë pas Krishtlindjeve, kur ato dolën në shitje, 12 mijë bileta të shitura. Më 29 dhjetor do të jenë 17 mijë shikues “live” që do të shohin eventin, asnjë vend bosh. Faleminderit Los Anxhelos”, u shpreh Dana White.
Rrëmuja që krijoi spostimi i eventit UFC-232 6 ditë para zhvillimit të tij duket se nuk ka prekur fansat e UFC-së, që pavarësisht se do të udhëtojnë 500km më shumë nga Las Vegasi në Los Anxhelos treguan dashurinë e tyre për këtë sport.
“Situata e krijuar ishte pak e vështirë për t’u menaxhuar, por ia dolëm mbanë dhe ju garantoj se do të jetë një event i jashtëzakonshëm, që do të mbahet mend gjatë”, tha më tej Dana White.
Në eventin UFC-232 do të jenë dy sfida për titull, ajo mes dy sportisteve braziliane Cris Cyborg e Amanda Nune (pesha featherweight, 61-66kg) dhe sfida e peshës “light heavyweight” (pesha 83-94kg) mes suedezit Alexander Gustafsson dhe Jon Jones (titulli i këtij Divizioni është vakant).