
UFC-216, Ferguson mposht Kevin Lee dhe merr titullin e përkohshëm
Tony Ferguson ka mundur me “submission” në raundin e tretë rivalin e tij Kevin Lee në UFC-216, sfidë e vlefshme për titullin e përkohshëm kampion në peshën e lehtë, duel që u zhvillua mëngjesin e sotëm në “T-Mobile Arena” të Las Vegasit. Ky është suksesi i 10-të radhazi në karrierë për kampionin amerikan të arteve marciale mikse, që tashmë ka një rekord prej 23 fitoresh e 3 humbje në UFC. “Gjithçka shkoi ashtu sikursë unë e kisha parashikuar. Doja që Lee të vinte tek unë, t’ia harxhoja të gjitha energjitë dhe ta mundja me “submission”, u shpreh Ferguson pas sfidës.
Lee, që një ditë më parë mezi arriti të kapë peshën e lejuar për të marrë pjesë në këtë event, nuk ishte në formën më të mirë, madje u duk sikur ai nuk ishte në gjendje të përballonte 5 raundet e këtij dueli. Ai dha më të mirën në raundin e parë, duke patur konrtollin e tij, ndërsa raundi i dytë ishte thuajse i barabartë, me Ferguson që nis të japë disa goditje të shkurtra. Me nisjen e raundit të tretë, forcat lanë Lee, ndërsa Ferguson përfitoi nga momenti për ta kapur për qafe rivalin e tij, duke e detyruar të dorëzohet. Për Lee kjo është humbja e tretë në karrierë (ka edhe 16 fitore). “E nënvlerësova. Dhashë më të mirën, por kjo s’mjaftoi”, tha Lee pas duelit.