Titulli WBO Youth, Jurgen Uldedaj gati për hapin e madh të karrierës
December 12, 2018
0 comments
Share

Titulli WBO Youth, Jurgen Uldedaj gati për hapin e madh të karrierës

Jurgen Uldedaj, boksieri shqiptar që prej tre vjetësh stërvitet në Gjermani, të shtunën më 15 dhjetor do të ketë ndeshjen  e tij të parë në boksin profesionist. Talenti shqiptar do të përballet për herë të parë për një titull Kampion Bote, duke synuar të rrëmbejë titullin e WBO Youth World Champion, në kategorinë “Cruiser”. Kundërshtar i talentit shqiptar, me një karrierë premtuese dhe gjithmonë në ngritje, do të jetë argjentinasi, Nicolas Leandro Arganaraz. Gjatë pasdites së sotme, dy boksierët të shoqëruar nga trajnerët përkatës dhe promotori i këtij eventi, kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ulf Steinforth, promotor i këtij aktiviteti të rëndësishëm sportiv, ka folur fillimisht për ngjarjen e së shtunës, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme për dy boksierët. Steinforth u shpreh se nëse Uldedaj apo Arganaraz shpallet kampion i titullit WBO për të rinj, vitin e ardhshëm mund të garojnë edhe për të rrëmbyer këtë titull për të rritur.

Do doja të falënderoja dy boksierët pjesëmarrës, sepse janë nga një familje. Dhe do të jetë një përballje familjes, Uldedaj-Arganaraz. Pra kjo tregon që boksi mund të jetë dhe një biznes familjar. Është një shans i madh për Jurgenin apo dhe kundërshtarin nëse fiton, do të kenë mundësi të pozicionohen shumë mirë në ranglistën botërore. Kështu vitin e ardhshëm mund garojnë për të rritur”-u shpreh promotori Steinforth.

Për Jurgen Uldedajn ky është një shans për të shënuar suksesin e dhejtë në karrierë, por padyshim më i rëndësishmi nga nëntë të parët. Gjatë fjalës së tij, boksieri i talentuar shqiptar, u shpreh se të shtunën kërkon fitoren ndaj kundërshtarit. Këtë të fundit e njeh mirë pasi e ka studiuar së bashku me trajnerin.

Dua tju përshëndes të gjithë, do të jetë kënaqësi e madhe të jem këtu për të treguar veten dhe aftësitë e mija. Kuptimi i këtij titulli është një hap drejt titullit World Champion WBO për të rritur. Është herë e parë që zhvilloj një ndeshje boksi profesionist. Është diçka e veçantë për mua, kam një mbështetje shumë të madhe nga familja dhe të gjithë. Si fillim dua të jem i përqëndruar tek ndeshja e radhës, më pas do të shohim për më tej. Me trajnerin kemi bërë një punë të shkëlqyer, e gjithë përgatitja ka qenë për një kundërshtar që godet me grushtin e majtë. Trajneri im ka qenë i tillë dhe i di truket. Besoj se ndeshja do shkojë në distancë. Zemra e njërit duhet të iki, kështu që më mirë e atij se sa e imja. Kemi vetëm dy ndeshje diferencë me kundërshtarin, kështu që nuk besoj se kemi diferencë”-shprehet Ulededaj.

Trajneri i Jurgen Uldedaj, Dirk Dzemski, u shpreh i kënaqur që ndeshja e parë si boksier profesionist për Jurgenin do të zhvillohet në Shqipëri.

Është padyshim diçka shumë e mirë për mua që gjendem në Shqipëri. Sigurisht që është shumë mirë dhe për Jurgenin që do të luftojë për titullin e tij të parë të rëndësishëm pikërisht në vendin e tij. Nuk besoj se kam marrë nga gjaknxehtësia e shqiptarëve. Kjo ndeshje kërkon qetësi për Jurgenin”-tha Dirk Dzemski.

Kundërshtari i Jurgen Uldedaj, në eventin e 15 dhjetorit, është pikërisht argjentinasi Nicolas Leandro Arganaraz, që në karrierën e tij ka shtatë ndeshje, të gjitha fitore. Edhe për të do të jetë një përballje e rëndësishme, ndonëse deri më tani ka dy përballje më pak se Jurgeni.

Jam shumë i lumtur që jam sot këtu. Nuk ka të bëj fare fakti që ky event zhvillohet jashtë Argjentinës. Për mua është njësoj, dua të bëj maksimumin të shtunën. Besoj se fakti që gjuaj me grushtin e majtë nuk është problem. Kundërshtarin e njoh, më duket i përgatitur dhe shpresoj të jetë një ndeshje e bukur”-u shpreh boksieri argjentinas.

Jurgen Ulededaj në këtë event do të garojë për Shqipërinë, dhe sfidën do e nis nën himnin  e flamurit shqiptar. Dueli mes dy boksierëve për një prej titujve më të rëndësishëm botëror në boks, do të zhvillohet në “Olimpik Arena”, ndërkohë që Telesport si sponsor mediatik do të jetë transmetues i këtij eventi për të gjithë shqiptarët. Ndërkaq, para përballjes së Jurgen Uldedaj dhe Nicolas Leandro Arganaraz, do të ketë dhe tetë përballje të tjera për pesha të ndryshme. Gjyqtarët e këtij eventi do të jenë nga Gjermania, Spanja dhe Italia, të cilët do të mbajnë me korrektësi pikët e dhjetë raundeve të titullit WBO për të rinj.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *