Tërstena apo kampioni olimpik në vitin 1984: Harruan vjet, harruan sot, do të harrojnë edhe nesër
August 10, 2017
0 comments
Share

Tërstena apo kampioni olimpik në vitin 1984: Harruan vjet, harruan sot, do të harrojnë edhe nesër

Fituesi i medaljes së artë olimpike në vitin 1984 në Los Anxhelos dhe i të argjendtës në Seul në vitin 1988, Shaban Tërstena, ka kujtuar historinë e bujshme të tij si sportist, që pa dyshimi kishte bërë krenar të gjithë shqiptarët kudo që jetonin e vepronin. “Harruan vjet, harruan sot, do të harrojnë edhe nesër dhe kështu ngjanë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Si rrjedhojë, nuk më mbetet tjetër për veç se unë t’ua rikujtojë këtë datë historike të sportit olimpik. Sot është një ditë e veçantë për mua, sot festoj si para 33 viteve më 10 gusht 1984 në Los Angeles të Amerikës kur u stolisa me medalje e artë olimpike. Në 33 vjetorin e shpalljes sime si kampion olimpik, unë dhe gjithë farefisi im, sikurse shoqëria ime e ngushtë dhe një pjesë e popullit shqiptarë ndjehen krenarë, dhe mburren me këtë të arritur historike sportive në trevat tona në Maqedoni. Ky është një fakt historik që mbetet i shënuar përgjithmonë në shpirtin tim, ai moment i fitores nuk ishte gjë tjetër veç se një realizim i ëndrrave të mia, pas një rruge të gjatë e mbushur me shumë sfida, sakrifica, momente dramatike etj.

Meqë jeta ime kishte vetëm një pikësynim, që ndërlidhej me punën që bëja, ditë e natë, me një vetëmohim të paparë duke bërë përpjekje titanike gjatë ushtrimeve dhe pregatitjeve të pafundme siç ishin; vrapimi në kilometra të pafundme, stërvitje molisëse në palestra ku djersa derdhej si lum. Dhe më e rëndësishmja ishte se për ta bërë ëndrrën realitet, duhej të zhvilloja duele të panumërta nëpër arena të ndryshme anembanë botës, duke u përballur në mënyrë dinjitoze, me guxim dhe vetëbesim për ta përfunduar me sukses rrugën që e kisha nisur. Sot poashtu, do të duhej të ishte një ditë e veçantë për opinionin më të gjerë, sidomos në Maqedoni për njerëzit që janë të ndërlidhur në mënyra të ndryshme me sportin, mendoj se kjo ditë do të duhej të shënohej me disa fjalë nga mediat gjithandej për të përcjellur porosi tek brezat e sotëm dhe për brezat që vijnë, dhe t’ju bëhet me dije se dikur në këto treva kishte lavdi, se në këto treva bëhej historia e sukseseve të botës, dhe më e rëndësishmja është që këtë porosi ta marrin ata njerëz që janë zotuar të udhëheqin në institucionet dhe agjensionet sportive shtetërore etj. të cilët qëndrojnë si kukulla naive që nuk shohin se çfarë ndodhë për rreth tyre, dhe pa meritë të shfrytëzojnë favoret që ti ofrojnë postet udhëheqëse që i drejtojnë ata. Sot, sepse nesër është vonë dhe historia do t’i mban mend si njerëz të dështuar, njerëz që nuk ia duan të mirën sportit, njerëz që nuk ia duan të mirën fëmijëve tanë!

Ka ardhur koha qe 27 vite kaluan që ta shohin realitetin me sy, vallë ku qëndron problemi, te mungesa e profesionalizmit të tyre, te mungesa e dijes, te keqmenaxhimi mbase edhe tek xhelozia dhe shpirtngushtësia e tyre ose çfarë do që të jetë tjetër. Është në të mirën e tyre, është për të mirën e brezave të rinj, që ta kuptojnë se sporti nuk pranon improvizime, fjalë të mëdha, kamuflime por duhet vullnet, punë, seriozitet dhe mbi të gjitha disiplinë të rreptë nëse dëshirohet të arrihet kulmi i suksesit. Nga distanca e sotme kohore kur e kthej kujtesën prapa në harkun kohor prej 33 vitesh, nuk ka sesi të mos ndjehem krenar që arrita të stolisesha me aq shumë medalje dhe suksese. Ngjitja drejt majave të Olimpit, si njeri, si sportist dhe si shqiptar, është ajo që më bën të ndjej se kam shkruar sado pak me forcën dhe shpirtin tim një pjesë të historisë së mundjes botërore.

Arrita të shpallem kampion olimpik vetëm me 19 vjeç moshë. Absolutisht ndjehem krenar që në 120 vitet e olimpizmit të kohëve moderne, akoma mbetem rekordmen, si fitues më i ri i medaljes së artë olimpike. Nuk është utopi të synosh majat e suksesit! As sot, aq më pak nesër, njësoj si dje. Suksesi im është vetëm një pikë uji në oqeanin global sportiv, ndërsa të rinjve u mbetet që këtë oqean ta mbushin me suksese dhe fitore të reja. Këtë ditë përvjetori pas 33 viteve ia dedikoj vendlindjes sime, Shkupit tim si fitues i medaljes së parë të arte olimpike”, shkruan Tërstena.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *