Surprizon kampioni i botës: Kjo është sfida ime e fundit në kafaz
Daniel Cormier, kampioni i botës në peshën e rëndë në artet marciale mikse, ka bërë me dije se revanshi që do të zhvillojë ndaj Stipe Miocic, në eventin UFC-241, do të jetë sfida e tij e fundit në kafaz. Kjo sfidë do të zhvillohet më 17 gusht në Kaliforni.
Kjo deklaratë e 40-vjeçarit amerikan ka befasuar të gjithë (22 fitore, 1 humbje dhe 1 duel pa rezultat). Cormier është një nga sportistët më të mëdhenj të historisë së UFC-së, që ka mbajtur dy tituj kampionë bote njëkohësisht (në peshën e rëndë dhe atë light heavyweight, pesha deri 90kg).
“Unë gjithnjë kam thënë se do të tërhiqem kur të jem 40 vjeç. Në fakt, duhej të isha tërhequr me kohë, në mars të këtij viti, por nuk arrita që të dueloj në eventin UFC-235 që u zhvillua në atë kohë. Ndaj vendimin e tërheqjes e kam marrë me kohë”, tha Cormier.
Duke folur për duelin e fundit, atë ndaj Miocic (e ka mundur më parë në eventin UFC 226, korrikun e kaluar), Cormier shton: “Do të jetë një duel më i vështirë se i pari. Stipe do të jetë më në formë dhe me siguri nuk do të përsëritë më të njëjtat gabime. Madje e pres të jetë më i inatosur në kafaz”.