Surpriza Fury, kërkon të zërë vendin e Haye në duelin me Bellew
Vetëm pak orë pa deklaratës së dëmtimit të David Haye, që u tërhoq nga revanshi i 17 dhjetorit ndaj Tony Bellew, ka ardhur reagimi i një tjetri ish-kampioni bote në peshat e rënda, britanikut të pamposhtur Tyson Fury. Për momentin është vetëm një kërkesë verbale e Fury, që i ka kërkuar Bellew të zërë vendin e Haye në duelin e planifikuar për t’u zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës. Për momentin, planet e britanikut Tony Bellew janë të prishura pas tërheqjes së patriotit të tij Haye, i dëmtuar gjatë stërvitjes, por gjërat mund të marrin një drejtim tjetër ditët në vijim.
Fury është shprehur se ka ndjerë të njëjtën gjë disa vite më parë, kur Haye ka anulluar dy herë duelin me të për shkak të dëmtimeve. Ndaj dhe ka hedhur hapin e parë për të zënë vendin e lënë bosh dhe të sfidojë Bellew. “Sapo mësova lajmin e tërheqjes së Haye, që nuk do të duelojë me Tony më 17 dhjetor. Unë jam gati për t’u përballur me Bellew, por jo tani, më 5 maj, në “O2 Arena” të Londrës. Unë dua të përballem me një burrë të vërtetë, me më të mirët e peshave të rënda, t’i mund të gjithë. Unë jam kampioni real i botës. Nëse Bellew pranon, unë kam vetëm 5 muaj për të rënë në peshë, ndaj e sfidoj”, tha Fury.