“Shumë zhurmë për asgjë”, Wilder drejt duelit me kubanezin
Edhe pse ditët e fundit është përfolur për një duel që do të unifikojë titullin kampion në peshën e rëndë midis dy kampionëve, amerikanit Deontay Wilder dhe britanikut Anthony Joshua, duket se kjo sfidë e madhe nuk do të zhvillohet. Të paktën jo tani.
Mediat amerikane konfirmojnë se Wilder është duke u orientuar drejt sfidës me kubanezin Luis Ortiz, të cxilin e ka mundur më parë me KO, në mars të 2018-ës. Kjo do të thotë që sfida mes Wilder dhe Joshua, apo edhe me Tyson Fury, nuk do të zhvillohet këtë vit.
Duket se sfida mes Wilder dhe Joshua kërkon shumë kohë për t’u zhvilluar, ndaj po shihet mundësia për një duel më të lehtë për t’u organizuar. Stafi i Wilder ka bërë me dije se 3 sfidat e radhës se kampionit të botës në kategorinë WBC do të jenë: 1-Luis Ortiz; 2-Adam Kownacki; 3-Tyson Fury.
“Të gjitha këto duele do të ndodhin në vijim. Ne jemi në negociata me menaxherin e Ortiz dhe në kontakt të vazhdueshëm me stafin e Fury. Duket se këto sfida janë më të lehta për t’u organizuar. Ndërsa dueli me Joshua kërkon një kohë të gjatë me bisedime”, tha Finkel, menaxheri i Wilder.