Shevchenko: S’njoh limite, kjo peshë është mbretëria ime
Më datën 8 qershor, në Chicago do të zhvillohet eventi UFC-238 në artet marciale mikse. Një event që ka dy sfida kryesore, të dyja për titullin kampion bote. Njëra prej tyre është ajo për titullin në peshën “flyweight” (pesha 53-57kg), ku kampionia në fuqi Valentina Shevchenko do të mbrojë gjerdanin në duelin ndaj Jessica Eye.
Kjo është hera e parë që Shevchenko (16 fitore e 3 humbje) mbron titullin e këtij Divizioni, titull që e ka fituar në dhjetor të vitit të kaluar. “Tani që jam kampione e botës do të bëj të pamundurën për të mbrojtur titullin. Pasi dështova në peshën “bantamweight” (pesha 57-62kg) mendoj se kam gjetur veten në këtë Divizion të ri, ku po ndërtoj mbretërinë time”, tha Shevchenko.
“Natyrisht që do të kem pak emocione në startin e këtij dueli, pasi do të mbroj titullin. Por jam përgatitur mirë dhe besoj se shumë shpejt emocionet do të largohen. Nuk kam frikë askënd, nuk kam patur kurrë dhe kjo më karikon për këtë sfidë. Nuk kam limite në këtë peshë, synoj të shkoj sa më larg të jetë e mundur edhe pse presioni do të jetë i madh”, tha Shevchenko, 31 vjeçe.