Shevchenko rikthehet në kafaz pas humbjes me Nunes, sfidë në Brazil me Coachieira
Valentina Shevchenko do të nisë rrugën për rikthimin e saj si protagoniste në artet marciale mikse në fushën e “armikeve” të saj, në Brazil, pasi ka pranuar të duelojë në UFC Night Fight, që zhvillohet më 3 shkurt, në qytetin e Belem. Përballë një prej ikonave të UFC-së do të jetë sportistja braziliane Priscila Coachieira, që në artet marciale mikse nuk ka asnjë humbje (8 fitore), por për të kjo është sfida e parë në një event të rëndësishëm. Kjo do të jetë një përballje krejt tjetër edhe për Shevchenko (14 fitore dhe 3 humbje në UFC), pasi ka braktisur peshën “bantam” (pesha gjel) për të garuar në peshën mizë (flyweight).
Hera e fundit që Valentina Shevchenko është ngjitur në kafaz ka qenë dueli për titullin kampion bote në UFC-215 (në shtator të këtij viti, në Kanada), kur u mund me vendim jo-unanim të gjyqtarëve nga Amanda Nunes, një tjetër sportiste braziliane. Shevchenko, që njihet edhe me pseudonimin “bullet”, kërkon të shkruajë emrin e saj me të arta edhe në këtë peshë të re, ku shpreson të ketë brenda vitit të ardhshëm mundësinë për të dueluar për titullin kampion bote. Një përballje që konsiderohet e fortë, pasi do të sfidojnë njëra-tjetrën dy sportiste që kërkojnë të bëjnë një rrugëtim të gjatë në këtë peshë, me Coachieira që duelon para fansave të saj.