Shaban Terstena promovon librin “Rruga e Kampionit Olimpik
May 6, 2017
0 comments
Share

Shaban Terstena promovon librin “Rruga e Kampionit Olimpik

Sot ishte një ditë tepër e veçantë, në Universitetin publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në prani të Dekanit të Fakultetit të edukimit fizik dhe sportit prof.dr. Musa Selimi, prodekanes për çështje mësimore prof.dr.Shqipe Bajçinca, profesorëve të tjerë si dhe në prani të një numri të madh studentësh, në amfiteatrin e këtij fakulteti u bë promovimi i librit monografik “Rruga e kampionit Olimpik- Shaban Tërstena”.
Dekani i këtij fakulteti në fjalimin e tij, shprehu kënaqësinë që studentët e këtij fakulteti kanë nderin të takohen drejtpërdrejt me një kampion Olimpik, nga i cili do të kenë rastin të njoftohen me pikëpamjet e tij mbi sportin, cilat parametra duhet respektuar, sa duhet punuar, cilat teknika dhe strategji duhet të përdoren që të arrihen rezultatet kulminante.
Në emër të fakultetit të edukimit fizik dhe sportit, Dekani i këtij fakulteti prof.dr.Musa Selimi i ndau kampionit Olimpik, Shaban Tërstenës, një mirënjohje për punën e tij, për shembullin e tij i cili do të jetë motiv dhe stimul për gjeneratat e reja se vetëm me punë të palodhshme mund të arrihen suksese të mëdha, poashtu i ndau një pllaketë me figurën e heroit tonë kombëtar Skenderbeut dhe një libër monografik për 30 vjetorin e fakultetit të edukimit fizik dhe sportit, për historikun e lavdishëm të këtij fakulteti i cili ka pasur nderin të nxjerrë nga gjiri i vet figura të rëndësishme dhe kuadro profesionale, me çka i japin një vetëbesim fakultetit për të vazhduar edhe më tej rrugën e vet fisnike në edukimin e brezave të rinj.
Ishte një rast i shkëlqyeshëm për të shpalosur pjesë nga përmbajtja e këtij libri, një fjalim nga ana e vet personazhit të këtij libri Shaban Tërstena, ku të pranishmit u informuan në mënyrë burimore me të kaluarën e tij të bujshme dhe të lavdishme sportive, rrugën e tij të gjatë dhe të mundimshme për të arritur deri në majën e Olimpit. Studentët patën rastin të dëgjojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vet kampioni olimpik Shaban Tërstena eksperiencat e tij, sfidat, luftërat sfilitëse, fitoret e tij.
Pas përfundimit të fjalimit të tij, Tërstena i dhuroi librin monografik me dedikim dhe respekt të veçantë, shkëlqesisë së tij dekanit të fakultetit të edukimit fizik dhe sporit prof.dr.Musa Selimi.
Poashtu një numër i caktuar i librit monografik “Rruga e kampionit Olimpik- Shaban Tërstena” iu dhurua bibliotekës së këtij fakulteti me kjo bibliotekë jo vetëm që do të pasurohet me një libër por do t’i shërbejë asaj që studentët të kenë mundësinë ta lexojnë dhe mësojnë shumë gjëra nga ky libër.
Në këtë promovim ligjëratat e tyre i mbajtën edhe autorët e librit Florim Rexhepi dhe Sefer Tahiri si dhe recenzenti Besnik Telai.
Pas përmbylljes së kësaj ceremonie, një takim u zhvillua edhe në rektoratin e Universitetit publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me shkëlqesinë e tij, rektorin e këtij universiteti prof.dr.Marjan Dema i cili ndau kohën e çmuar të tij për të realizuar këtë takim. Takimi u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe shumë të ngrohtë, u evokuan kujtime të veçanta për momente të caktuara të kësaj historie. Në fjalë mirëseardhje rektori prof.dr.Marjan Dema shprehu kënaqësinë për prezencën tonë në këtë takim duke shkëmbyer ide dhe mendime të ndryshme në lidhje me kultivimin dhe afirmimin e sportit në përgjithësi, dhe në veçanti për të ardhmen e Fakultetit të edukimit fizik dhe sportit, duke u mundësuar studentëve që të kenë kushte më të mira për realizimin e procesit të studimeve të tyre në aspektin teorik dhe prakitk në palestra moderne që shpresojmë se do të materializohen në një të ardhme të afërt. Poashtu nga ana e rektorit, kampionit olimpik Shaban Tërstena iu nda një mirënjohje dhe medaljon
e art me logon e Universitetit “Hasan Prishtina” për kontributin e tij të madhe në fushën e sportit si dhe në afirmimin e popullit shqiptarë anembanë botës.
Gjatë fjalës falënderuese të kampionit Olimpik Shaban Tërstena, theksoi se gjatë karrierës së tij sporitve është shumë e vërtetë se ka korrur shumë suksese duke sjellur dhe shumë medalje, mirëpo kjo mirënjohje e sotme shënon momentet më emocionuese të jetës së tij, ngase kjo mirënjohje vjen pikërisht nga tempulli i dijes, Universiteti “Hasan Prishtina”, i cili në ekzistencën e vet jo vetëm se ka shërbyer si tempull i dijes, por vet studentët e këtij Universiteti në periudhat më të rëndësishme të popullit shqiptarë, në kthesat e mëdha historike kanë luajtur një rol thelbësorë dhe shumë domethënës, duke qenë forca lëvizëse e të gjitha ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në Kosovë dhe më gjërë, ne realizimin e aspiratave liridashëse të popullit tonë.
Ndërsa në përmbyllje të këtij takimi, kampioni Olimpik, në shenjë respekti dhe falënderimi për mundësinë e promovimit të librit, në kuadër të Universitetit publik “Hasan Prishtina” shkëlqesisë së tij rektorit prof.dr.Marjan Dema, i dhuroi librin mongrafik me dedikim të posaçëm, për personalitetin, bujarinë dhe peshës së tij akademike, të përmasave të zotërisë së tij Marjan Dema, në Kosovë dhe më gjërë.
Një falënderim i veçantë i dedikohet z.Gani Ibrahimi, sekretar i fakultetit të edukimit fizik dhe sportit, për organizimin e shkëlqyeshëm të këtij eventi, promovimit të librit monografik “Rruga e kampionit Olimpik- Shaban Tërstena” para një audience shumë të respektuar shkruan ne facebook.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *