Rousey në altar, martohet në fshehtësi ditën e duelit Mayweather-McGregor
Ditën kur e gjitha bota e sportit mbante sytë nga Las Vegasi për të parë duelin e madh të boksit mes Floyd Mayweather dhe Conor McGregor, femra që dominoi për vite më radhë në artet marciale mikse dhe e bëri atë një sport të njohur anembanë botës, Ronda Rousey (30 vjeçe), është martuar me të fejuarin e saj Travis Browne (35 vjeç). Martesa e tyre është bërë në Hawai, në dijeninë e shumë pak njerëzve, mes të cilëve edhe Dana White (nuk ishte i pranishëm), që ka konfirmuar këtë lidhje. Jo vetëm kaq, por ka qenë Browne ai që sot ka postuar edhe fotot e martesës.
“Një ditë fantastike, një femër e përkryer”, ka shkruar Browne në faqen e tij zyrtare në “Instagram”, duke postuar disa foto të tijën me Rousey, që kishte veshur fustanin e nusërisë. Dyshja e njohur e arteve marciale mikse, u fejua në prill të këtij viti (Browne i propozoi Rousey gjatë një udhëtimi në Zelandën e Re) dhe vendosi të lidhet zyrtarisht në martesë. Edhe bashkëshorti i Rousey është një sportist i arteve marciale mike, që garon në peshat e rënda, ndërsa vetë Rousey ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë karrierën e saj në këtë sport, apo do të tërhiqet.