Rockhold dhe Romero 6 muaj pezullim nga UFC-ja pas duelit
Luke Rockhold dhe Yoel Romero, dy protagonistët e eventit të UFC-221, zhvilluar fundjavën e kaluar në Perth të Australisë, janë pezulluar nga 6 muaj nga të gjitha eventet e arteve marciale mikse. Komisioni mjekësor i sportit të Australisë ka marrë këtë masë për të dy sportistët protagonistë edhe pse Romero e fitoi me “ko” duelin ndaj Rockhold.
Romero pritet që të duelojë për titullin kampion pas këtij eventi, por do t’i duhet të presë 6 muaj për t’u rikthyer sërish në kafaz. Të dy sportistët, sipas mjekëve, kanë marrë dëmtime të rënda në trup dhe fytyrë, ndaj duhet t’i nënshtrohen disa ekzaminimeve ekstra para se të rikthehen në kafaz. Pas eventit të UFC-221, nga 6 muaj pezullim kanë marë edhe sportistët Curtis Blaydes e Rob Wilkinson.