Rikthehet Rose Namajunas
UFC ka zyrtarizuar se kampionia e botës në peshën “strawweight” (pesha 48-52kg) Rose Namajunas, do të mbrojë titullin në eventin UFC-237, ndaj brazilianes Jessica Andrade. Ky duel do të zhvillohet në Rio de Zhaneiro të Brazilit, në fushën e sfidantes, çka e bën të vështirë mbrojtjen e titullit për Rose Namajunas.
Sportistja amerikane Rose Namajunas, 8 fitore e 3 humbje në kafaz, vjen pas 3 fitoresh radhazi në kafaz, por nuk duelon që prej prillit 2018. Ndërsa Andrade, 19 fitore e 6 humbje në artet marciale mikse, ka dueluar për herë të fundit në shtator të vitit të kaluar dhe i ka fituar tri sfidat e fundit. Ajo do të kërkojë titullin para fansave të saj.
Në këtë event, UFC-237, spikatin edhe dy duele të tjera të rëndësishme: Jose Aldo-Alexander Volkanovski dhe Jared Cannonier-Anderson Silva. Gjithsesi, sfida mes Namajunas dhe Andrade është për momentin përballja kryesore e këtij eventi. UFC synon që në këtë event të afrojë edhe një sportiste tjetër braziliane, si Amanda Nunes apo Cris Cyborg Justino.