Publikohet kundërshtari i ri i Gjetan Ketës
Pavarësisht se për tre muaj me rradhë Gjetan Keta është stërvitur për të sfiduar ish-kampionin e botës Paul Valenzuela Jr, vetëm disa ditë para ndeshjes ka ardhur “bomba” për boksierin shqiptar. Pasi boksieri meksikan ka pësuar një aksident dhe ka njoftuar federatën WBU për pamundësinë fizike për t’u ndeshur me boksierin shqiptar, më 8 shtator në Dibër të Madhe.
Federata ka bërë publik emrin e boksierit që priste në rradhë për t’u ndeshur për titull botëror, që praktikisht do të sfidojë Tysonin e bardhë në ring. Ai është boksieri boshnjak, Sladan Janjanin që në statistika shfaqet më favoritë pasi ka 25 fitore nga të cilat 19 me k.o dhe vetëm 3 humbje, ndërsa Keta ka 22 fitore, 18 me k.o dhe 4 humbje.
Pavarësisht se shifrat flasin në favor të boksierit boshnjak në këtë sfidë, Gjetani do të ndeshet “në shtëpi” çka i jep një avantazh më tepër.
Gjithsesi në njoftimin që ka bërë vëllai dhe trajneri i tij, Ismail Keta ka theksuar se sporti ka edhe humbje, por do të përpiqen që të nderojnë shqiptarët pasi vitin 2018-të është edhe viti i Skënderbeut.