Pacquiao: Jam gati për të rimarrë titullin, do të rikthehem “mbret”
Boksieri filipinas Manny Pacquiao thuajse ka mbyllur përgatitjet për duelin e 14 korrikut, kur në Kuala Lampur të Malajzisë do të tentojë të rrëmbejë titullin kampion bote në peshën “ëelter” ndaj argjentinasit Lucas Matthysse, që mban kurorën e kategorisë WBA. Pacquiao, 39 vjeç dhe me një karrierë të pasur (59 fitore, 7 humbje e 2 barazime), shprehet se është gati dhe se titulli kampion është objektivi i vetëm.
“Ndihem mirë, kam patur një fazë përgatitore të shkëlqyer dhe jam në formë. Jam gati për këtë duel, për t’u rikthyer aty ku e kam vendin. Dua të falënderoj stafin tim dhe ta shpërblej me një çmim të veçantë për punën e bërë”, tha Pacquiao. Pacquiao nuk duelon që prej korrikut të vitit të kaluar, kur humbi titullin ndaj australianit Chris Horn dhe pas një viti kërkon të rikthehet në majën e botës. Rivali i tij, Matthysse, numëron 39 fitore e 4 humbje në karrierën e tij.