Orana: Medalja e bronztë evropiane më jep motiv
Suksesi i fundit – medalja e bronztë me kombëtaren e Kosovës, pa dyshim se e ka motivuar edhe më shumë karateisten Fortesa Orana, e cila pretendon se do të arrijnë edhe më shumë në sfidat e ardhshme ndërkombëtare. Në fundjavën që e lamë pas, Kombëtarja e Kosovës (femrat) fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për shtetet e rajonit, e cila u mbajt në Prishtinë, sukses që e vlerësoi lart Orana. “Kjo medalje na jep motiv si ekip për me punuar më shumë për të ardhmen, ngase na presin edhe shumë kampionate tjera të rëndësishme.
Vërtet paraqitja ka qenë e mirë në të ardhmen dhe mundemi pse jo edhe kampione të dalim”, shpreh optimizmin Orana për “Bota sot”. 20-vjeçarja tregon se të gjitha ballafaqimet kanë qenë të vështira, por sipas saj përgatitja ka qenë në niveli e lartë dhe që rezultoi me suksese. “Të gjitha duelet ishin të vështira deri te medalja , pra renditja në vend të tretë dhe ishte shumë emocionuese deri te shpallja e fitueses. Sepse e kemi pritur me padurim fitoren dhe sigurisht arma më e fortë e ekipit ishte bashkëpunimi dhe besimi ndaj njëra-tjetrës, kështu që asnjëherë nuk dorëzohemi”, tha ajo. Kosova në luftë për medaljen e bronztë e ka mposhtur me rezultat 4:0 Sllovakinë.