Nunes planifikon një duel me Pennington për të mbrojtur titullin kampion
Amanda Nunes mund të duelojë ndaj Raquel Pennington në muajt e parë të 2018-ës, në një përballje ku do të mbrojë për të tretën herë titullin kampion bote të peshës bantam (pesha gjel). Kampionia braziliane e arteve marciale mikse nuk do të zhvillojë më asnjë sfidë në kafaz për këtë vit, pasi pret të kryejë një operacion në fytyrë, për shkak të problemeve që ka me sinozitin. Në një deklaratë për mediat, ka qenë vetë Nunes që ka thënë se Pennington është e para në listë për të edhe pse vendimin përfundimtar do ta marrë UFC-ja.
Penington, 29 vjeçe, nuk duelon që prej nëntorit 2016, kur mundi me vendim unanim të gjyqtarëve ish-kampionen e botës Miesha Tate. Ndërsa Nunes mundi më 10 shtator Valentina Shevchenko me vendim jo-unanim, duke krijuar mjaft polemika pas këtij triumfi. Të gjithë menduan se do të zhvillohet një tjetër sfidë mes tyre, por për momentin asgjë nuk është e sigurtë. Mediat amerikane mendojnë se Pennington është rivalja e radhës, por ky duel do të zhvillohet në 2018-ën, pasi Nunes të rikuperohet nga operacioni.