Nunes: Nuk ka surpriza, titulli do të mbesë i imi
Amanda Nunes, kampionia e botës në peshën “bantamweight” (pesha gjel), do të mbrojë titullin më 12 maj në eventin e UFC-224 në Rio De Zhaneiro përballë amerikanes Raquel Pennington. Kjo do të jetë hera e tretë për kampionin braziliane që do të mbrojë titullin, për herë të parë para publikut të saj, ndërkohë që Nunes rikthehet të duelojë në vendlindje pas 3 vitesh. Ndaj ajo është e karikuar dhe e vendosur për ta fituar këtë duel, pasi nuk dëshiron të zhgënjejë fansat e saj. “Fitorja është e vetmja alternativë, jo vetëm se dueloj para publikut tim, por edhe sepse jam përgatitur mirë”, u shpreh Amanda Nunes për mediat braziliane.
Nunes ka një rekord prej 15 fitoresh e 4 humbjesh në UFC, ndërsa rivalja e saj amerikane numëron 9 fitore e 5 humbje, por Pennington nuk duelon prej 18 muajsh. “Nuk ka për të qenë e lehtë, pasi çdo sfidë ka vështirësitë e saj, por nuk kam për ta dorëzuar titullin, kjo është e sigurtë. Do të jetë një sfidë ku do të jap maksimumin dhe do të fitoj. Ky titull do të qëndrojë i imi dhe do të vendos rekorde të reja në të ardhmen. Falënderoj UFC-në që më dha mundësinë të dueloj para fansave të mi dhe do t’u tregoj atyre se çfarë jam në gjendje të bëj”, tha Nunes, që nuk duelon prej shtatorit 2017, kur mposhti Valentina Shevchenko me vendim jo-unanim.