Nunes dhe Pennington “face to face” në Brazil, sfidë për titull në UFC-224
Kampionia e botës në peshën “bantamweight” (pesha gjel) në artet marciale mikse, braziliania Amanda Nunes dhe sfidantja amerikane Raquel Pennington, janë takuar sot për herë të parë mes tyre, për të promovuar përballjen për titull mqë do të zhvillohet më 12 maj në Rio de Zhaneiro dhe të vlefshëm për eventin e UFC-224. Nunes do të duelojë për herë të parë pas 3 vitesh para fansave të saj dhe do të mbrojë për të tretën herë titullin kampion, por për herë të parë këtë gjë do ta bëjë në Brazil.
Nunes, 15 fitore dhe 4 humbje në artet marciale mikse, vjen në këtë sfidë pas 6 fitoresh radhazi, ndërkohë që ndeshja e fundit në kafaz ka qenë në shtator të vitit të kaluar, kur mundi me vendim jo-unanim të gjyqtarëve Valentina Shevchenko. Ndërsa Penington, 9 fitore dhe 5 humbje në artet marciale mikse, ka fituar 4 përballjet e fundit, por rikthehet në kafaz pas 2 vitesh e gjysmë.
Sot dy sportistet kanë dalë para mediave, por nuk kanë lëshuar ndonjë deklaratë, madje takimi mes tyre ka qenë shumë miqësor, me Nunes që i ka hedhur krahur sfidantes, duke treguar se marrëdhënia mes tyre, të paktën jashtë kafazit, është shumë e mirë. Gjithsesi, sfida mes tyre ka për të qenë e fortë, pasi Pennington ka treguar gjithnjë se është një rivale e denjë, ndërsa Nunes do të kërkojë që të mos zhgënjejë para fansave të saj.