
“Nuk do të rrezikoj karrierën, Zoti do të më gjykojë për gabimet”
Boksieri amerikan Floyd Mayweather, 50 fitore e asnjë humbje në karrierën e tij, deklaron se rikthimi në ring në një duel boksi profsionist mund të jetë me rrezik për të. Tashmë 41 vjeç, Mayweather mendon më shumë për sfida “show”, jashtë Amerikës, ku arkëton po aq shumë sa dikur. Duke folur për jetën e karrierën e tij, në një intervistë për “CNN Talk Asia”, boksieri amerikan tha: “E di që nuk jam i përkryer. Kam bërë gabime në jetën time, por vetëm Zoti mund të më gjykojë”.
Duke folur për karrierën dhe ofertat që i vijnë, Mayweather thotë: “Nuk ka rëndësi se sa parà bën, por se si i investon ato. E rëndësishme është që t’i bësh paratë të punojnë për ty”, tha boksieri.
Duke folur për të ardhmen e tij në ring, ai shton: “Unë besoj tek vetja ime, në aftësitë e mia, besoj te talenti që kam. Dhe mbi të gjitha besoj tek puna jashtëzakonisht e fortë që bërj për t’u stërvitur. Kjo më ka ndihmuar gjithnjë në karrierën time, ndaj nuk dua ta shkatërroj këtë reputacion”, tha Mayweather, që të 50 fitoret në karrierën e tij si profesionist i ka arritur në Amerikë.