Një boksier tajlandez vë në rrezik rekordin e 50 fitoreve të Mayweather
Rekordi i 50 fitoreve dhe asnjë humbje i boksierit amerikan Floyd Mayweather është në rrezik, madje mund të thyhet, pasi një tjetër boksier mund ta barazojë së shpejti atë, apo edhe ta përmirësojë në të ardhmen. Bëhet fjalë për tajlandezin Wanheng Menayothin, i cili më 25 nëntor korri fitoren e tij të 49-të në karrierë, në peshën mini-flyweight (pesha mini-mizë). Ndërkohë që, ashtu si Mayweather, nuk ka asnjë humbje në karrierë dhe rezultatet e tij janë të njohura edhe nga drejtuesit e WBC, pasi ai është kampion bote i kësaj kategorie.
Boksieri Menayothin i ka zhvilluar të 49 duelet në Tajlandë, në vendlindjen e tij dhe 17 nga 49 fitoret i ka arritur me “KO” dhe 32 me vendim të gjyqtarëve. 32-vjeçari tajlandez është kampion bote i peshës më të ulët të njohur zyrtarisht në sportin e boksit dhe rivalët e tij kanë qenë kryesisht boksierë aziatikë. Menayothin e ka fituar titullin kampion 3 vite më parë dhe që atëherë e ka mbrojtur atë në 8 sfida. Në tri vitet e fundit ai ka zhvilluar 13 duele dhe synon të jetë aktiv edhe për 3 vite të tjera, ndaj që vitin tjetër mund ta barazojë dhe thyejë rekordin e Mayweather.