
Nga tetori, Kosovës prapë i vijnë medalje nga xhudistët
Xhudistët fitojnë shumicën dërmuese të medaljeve për Kosovën në gara prestigjioze ndërkombëtare. Por medaljet e tyre kanë munguar që nga muajt shkurt.
Garat e xhudos, njëjtë si të sporteve të tjera, janë anuluar apo janë shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.
Për herë të fundit xhudistët kosovarë kanë fituar medalje në “Grand Slamin” e Parisit, gjashtë muaj më parë.
Distria Krasniqi kishte fituar medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.
Të dy xhudistet kishin garuar më 8 shkurt. Në shkurt ishte mbajtur edhe gara “Grand Slam” në Duesseldorf, por xhudistët kosovarë nuk garuan.
Ndërkohë koronavirusi nisi të përhapej, kufijtë u mbyllën dhe garat e xhudos u anuluan. Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) po punon për kthim të garave. Së fundi, IJF-ja ka prezantuar protokollin për kthim në gara, ndërsa ky hap është mirëpritur nga trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Kuka pret që prej tetorit të vazhdohet me gara ndërkombëtare të xhudos, të nivelit të lartë ndërkombëtar.
“IJF-ja ka dërguar protokollin për gara, që është sinjal që në tetor do të fillohet me gara. Të paktën unë i kam këto informata. Me shumë mundësi gara e parë do të jetë ‘Grand Prix’ në Budapest”, ka thënë Driton Kuka.
“Nuk ka ndonjë vendim zyrtar për mbajtje të garave, por me këtë protokoll hapet rruga. Qeveria e Hungarisë ka përgatitur një protokoll për një ngjarje sportive, që është i përafërt me këtë të IJF-së. Ky është një sinjal pozitiv. Po ashtu në Hungari lejohet hyrja prej shteteve të ndryshme dhe kjo rrit gjasat për garën e parë në tetor në këtë vend”, ka shtuar Kuka.