Nasukawa kërcënon Mayweather: Do t’i shkaktoj humbjen e parë në ring
Tenshin Nasukawa beson se do t’i shkaktojë humbjen e parë në karrierë boksierit amerikan Floyd Mayweather, në duelin që dy sportistët do të zhvillojnë më 31 dhjetor, në “Saitama Super Arena” në Japoni. Edhe pse Nasukawa është një sportist i kickboxing, dueli me Mayweather do të zhvillohet me rregullat e boksit dhe pritet të jetë një “sfidë show”.
Por për japonezin kjo sfidë nuk konsiderohet si një “show”, por si një përballje e vërtetë, ku ai synon fitoren, pavarësisht faktit se Mayweather ngjitet në ring për të marrë shumën e madhe të parave të ofruara. Për këtë arsye, Nasukawa e ka bërë të qartë se do të duelojë për ta mundur boksierin amerikan.
“Siç e dini, në natën e ndërrimit të viteve do të përballem me Floyd Mayweather. Kam nisur përgatitjet për të qenë gati për atë sfidë dhe ju garantoj se do ta mund me “KO”. Do ta nxjerr jashtë loje dhe do t’i shkaktoj humbjen e parë”, tha Nasukawa.