Mr. Sc. Alim Ajredini e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës
April 15, 2020
0 comments
Share

Mr. Sc. Alim Ajredini e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës

Në Universitetin e Tetovës, Mr. Sc. Alim Ajredini e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës

Në Universitetin e Tetovës, sot, më 14.4.2020, kandidati Mr. Sc. Alim Hajredini e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës, me titull: “Zhvillimi i disa aftësive kondicionale te atletët dhe karateistët e rinj të moshave 10-12 vjeç dhe 12-14 vjeç gjatë procesit stërvitor njëvjeçar” dhe e fitoi titullin shkencor Doktor i shkencave në fushën e kineziologjisë.

Mbrojtja e doktoraturës u realizua përmes platformës online Google Meet, duke u bazuar në neni 3 të Dekretit me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për arsim të lartë gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme (Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr.76, datë 24.03.2020), teksa të gjithë të interesuarve iu mundësua ndjekja me paraqitje paraprake në adresën elektronike: doktoratura@unite.edu.mk.

Komisioni i përbërë nga: Prof. Dr. Vullnet Ameti-kryetar, Prof. Dr. Fadil Nika-anëtar, Prof. Dr. Bexhet Toçi-anëtar, Prof. Dr. Haki Ismaili-anëtar, Prof. Dr. Fadil Rexhepi-anëtar, si dhe mentori Prof. Dr. Visar Ganiu, e vlerësuan lartë disertacionin dhe punën hulumtuese shkencore të kandidatit, duke potencuar se studimi në fjalë është një kontribut i çmuar për shkencën e kineziologjisë.

Alim Ajredini është lindur më 5 janar 1974 në fshatin Ladorisht të Strugës. Studimet deridiplomike i ka filluar në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë (1993-1995), ndërsa i ka përfunduar në Institutin e Lartë të Edukimit Fizik “Vojo Kushi”, në Tiranë, më 1995-1997, duke u specializuar në Atletikë. Studimet pasdiplomike, në drejtimin Atletikë, i përfundoi po në Akademinë e Edukimit Fizik ”Vojo Kushi”, në Tiranë, më 2002-2004.

Prej vitit 1989 është marr në mënyrë aktive me sportin e atletikës dhe të karatesë, dhe ka marrë pjesë në shumë gara brenda dhe jashtë vendit, duke arritur shumë mirënjohje, diploma dhe medalje, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Prej vitit 1999 udhëheq klubin e karatesë “Drini” në Strugë, ndërsa nga viti 2009 edhe klubin e Atletikës “Drini”, në Strugë.

Gjatë viteve 1997-2002 angazhohet asistent në Fakultetin e Kulturës Fizike, në lëndën e Atletikës, në Universitetin e Tetovës, ndërsa në vitet 2006/07 punon në shkollën e mesme komunale “Ibrahim Temo”, në Strugë. Nga viti 2007 e deri me sot, është i punësuar në Universitetin e Tetovës, Fakulteti i Kulturës Fizike, asistent për lëndët: Atletikë, Lojëra elementare, Aerobi, Sociologjia e Sportit, Lojëra Popullore dhe Lojëra elementare me popullore.

Universiteti i Tetovës i ndjek dhe respekton rekomandimet e OBSH-së dhe autoriteteve përkatëse të vendit kundër përhapjes së virusit Covid-19, por pa e ndërprerë veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit, duke qenë pranë studentëve, përmes teknologjive përkatëse bashkëkohore, në të gjitha ciklet e studimeve. Këtë më së miri e dëshmon mbrojtja e sotme e disertacionit të doktoraturës.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *