MMAWhittaker mposht Romero në UFC-213
Australiani Robert Whittaker ka mundur mëngjesin e sotëm në Las Vegas kubanezin Yoel Romero në duelin e vlefshëm për UFC-213, duke u shpallur kampion i përkohshëm i botës në peshën e mesme, duke fituar me vendim unanim të gjyqtarëve. Falë këtij triumfi, Whittaker ka siguruar të drejtën për të dueluar për titullin kampion bote të kësaj peshe, me Michael Bisping, në fund të këtij viti. Bisping e pa nga afër duelin dhe pasi mësoi se Whittaker fitoi sfidën u ngjit në kafaz dhe nisi ta shante rivalin e tij të ardhshëm.
Edhe pse 26-vjeçari australian vuajti në raundin e parë, ku pësoi një dëmtim në gjurin e majtë, ai arriti të rikuperojë dhe të fitojë me meritë ndaj Romero, që shihej si favorit. Përballja mes dy sportistëve të arteve marciale mikse ishte mjaft e bukur, 5 raunde intensive, që dhuruan jo pak emocione, me kubanezin që dominoi dy raundet e para dhe më pas erdhi përmbysja e australianit. “Fakti që t’i e fitove këtë duel më bezdis, por unë do të të mund”, tha Bisping pas përfundimit të duelit, duke kërcënuar fituesin.
Për sa i përket duelit të zhvilluar mëngjesin e sotëm në Las Vegas, ishte Romero ai që befasoi rivalin në raundin e parë, me Whittaker që pësoi një dëmim në gju, madje duke e hedhur në tapet edhe në minutën e parë të raundit të dytë. Por australiani arriti të rikuperojë, duke kontrolluar rivalin kubanez në tri raundet e mbetura, duke e goditur shpesh atë dhe merituar fitoren, me vendim unanim të gjyqtarëve. Ky ishte eventi kryesor i mbrëmjes, pas tërheqjes së Amanda Nunes, pak orë para fillimit të sfidës së saj me Valentina Shevchenko, për shkak se përfundoi në spital.