McGregor: Sfida ime ndaj Mayweather çel “binjakëzimin” mes dy sporteve
Irlandezi i arteve marciale mikse Conor McGregor beson se sfida e së shtunës mes tij dhe boksierit Floyd Mayweather do të jetë e para e një serie të gjatë përballjesh mes dy sporteve: MMA-së dhe boksit. McGregor do të bëjë debutimin e tij në sportin e boksit, teksa më 26 gusht do të duelojë ndaj Mayweather në “T-Mobile Arena” të Las Vegasit, në një sfidë që parashikohet epike, mes dy kampionësh në sportet përkatëse. Por McGregor ka deklaruar sot se kjo sfidë do të pasohet shpejt nga të tjera përballje, ndërkohë që janë të shumtë sportistët që kanë deklaruar se janë gati ta ndërmarrin këtë nismë.
“Le ta vazhdojmë këtë që nisëm. Kjo sfidë ka krijuar shumë interes mbarë botës dhe janë të shumtë ata që janë interesuar të vazhdojnë këtë rrugë. Unë jam i lumtur që jam pjesë e kësaj sfide dhe e këtij debutimi. Të gjithë po e përjetojnë në maksimum këtë sfidë dhe kjo është një gjë e mirë. Ka opinione të ndryshme në lidhje me këtë nismë timen, që hyj në këtë sport, por unë e dua këtë sport. Ndaj jam i bindur se shumë të tjerë do të ndjekin rrugën time”, deklaroi sot Conor McGregor, teksa përgatitet për duelin e së shtunës. Nga ky duel, dy sportistët pritet të përfitojnë 100 milionë dollarë, në atë që konsiderohet si sfida më e amdhe e sporteve luftarake.