McGregor kontratë të re me UFC, 8 duele në kafaz dhe sponsorizim
Pak orë pas konferencës për shtyp që Conor McGregor zhvilloi sot në Nju Jork, për të promovuar eventin UFC-229 që zhvillohet më 6 tetor në Las Vegas (do të duelojë ndaj Khabib Nurmagomedov), presidenti i UFC-së, Dana White deklaroi se ka nënshkruar një marrëveshje të re me kampionin irlandez të arteve arciale mikse. Ai deklaroi se ka siguruar “Notorius” edhe për 8 ndeshje të tjera në kafaz, përfshi edhe sfidën ndaj rusit.
“Nuk ka qenë aspak e vështirë të arrije një marrëveshje të tillë me Conor, pasi e di mjaft mirë se për çfarë bëhet fjalë”, tha Dana White. Shefi i UFC-së n uk bëri me dije detaje të kontratës, por marrëveshja e re pritet ta bëjë ish-kampionin e botës një nga sportistë më të paguar në histori.
Si pjesë e kësaj marrëveshje është edhe promovimi në eventet e McGregor të pijes uiski që irlandezi ka hedhur në treg së fundi, “Proper Twelve Whiskey”, që do të jetë në kafaz si reklamë në të gjitha duelet që do të zhvillojë Conor McGregor.
Më 6 tetor, irlandezi do të kërkojë të rimarrë titullin kampion bote të peshës së lehtë që mbahet nga Khabib Nurmagomedov, titull që rusi e fitoi në prill të këtij viti. Dy sportistët zhvilluan në Nju Jork konferencën e parë për shtyp, për të promovuar këtë event, që konsiderohet si përballja më e madhe në historinë e UFC-së.