McGregor fton japonezin të duelojnë në kafaz
Edhe pse është në pritje të një vendimi që Komisioni i Sportit në Nevada do të marrë më 29 janar, kampioni irlandez i arteve marciale mikse Conor McGregor mendon për rikthimin e tij në kafaz. Dhe përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, irlandezi ka deklaruar se synon të duelojë ndaj japonezit Tenshin Nasukawa.
Nasukawa është sportist i kickboxing, që më 31 dhjetor u përball me Floyd Mayweather, në një duel “show” në Japoni dhe u mund me “KO” që në raundin e parë. “Dua të shkoj në Tokio dhe të dueloj në një duel në artet marciale mikse me Tenshin Nasukawa”, thotë McGregor.
“Dua që ky duel të zhvillohet para sezonit veror. Ju lutem, realizojeni këtë sfidë, në këtë moment. Sinqerisht i juaji, kampioni i kampionëve”, thoitë irlandezi, ish-kampion bote në dy pesha të ndryshme në UFC.
Nuk dihet nëse Conor McGregor e ka seriozisht këtë kërkesë. Nga sfida mes Mayweather dhe Nasukawa, boksieri amerikan arkëtoi 9 milionë dollarë, në një duel “show” ku ai e mposhti shumë lehtësisht rivalin japonez. Ndoshta edhe McGregor kërkon të “mbushë xhepat” nga kjo sfidë.