Mayweather: Nuk kthehem më në ring, cilado qoftë shuma
Nga Kina e largët, ku ndodhet për të shijuar pushimet, boksieri amerikan Floyd Mayweather ka deklaruar sot se është i lumtur me jetën si “pensionist” dhe se nuk ka ndërmend të rikthehet sërish në ring. Boksieri ka hedhur kështu poshtë zërat që qarkulluan sot në mediat amerikane se ai ka rinisur stërvitjen për një revansh me Conor McGregor, që do të zhvillohet gjatë 2018-ës. Nga kjo sfidë, Mayweather përfitoi 300 milionë dollarë, ndaj dhe u përfol se do të kemi një revansh, që do t’i garantonte boksierët të tjera përfitime marramendëse.
“Jam i tërhequr nga sporti dhe jam i lumtur. Nuk do të dueloj më, çfarëdo çmimi të më ofrojnë”, ka qenë komenti i Mayweather. Duket se boksieri amerikan ka frikë nga një përballje e dytë me McGregor, kampionin irlandez të arteve marciale mikse, se pas 50 fitoresh dhe asnjë humbje në karrierë, mund të pësojë disfatën e parë. Mayweather u tërhoq një herë nga sporti në shtator të 2015-ës, por u rikthyer pas dy vitesh, kur më 26 gusht të këtij viti mposhti me “KO teknik” Conor McGregor. Por kjo duket se do të mbetet sfida e fundit e ikonës së boksit.