Maqedonia në mënyrë madhështore kremtoi ditën e Xhudos
October 29, 2018
0 comments
Share

Maqedonia në mënyrë madhështore kremtoi ditën e Xhudos

Federata e Xhudos së Maqedonisë, për të tetën herë radhazi kremtoi Ditën Botërore të Xhudos, e cila festohet tradicionalisht më 28 Tetor, si pjesë e një manifestimi ndërkombëtar që bëhet për nder të ditëlindjes së themeluesit të xhudos, Jigoro Kano.

Me këtë rast, FXHM mblodhi gjitha klubet e xhudos nga vendi jonë në sallën sportive Dielli Maqedonas (Makedonsko Sonce) pranë shkollës fillore “11 Tetori” në komunën Qendër – Shkup, ku bënë një stërvitje të përbashkët të gjithë xhudistët nga Maqedonia, nën moton “Miqësia”.

Këtë ngjarje edhe më madhështore e bëri prania e veteranëve të sportit të xhudos të vendit tonë, siç janë emrat e trajnerëve legjendar e të palodhur: Mustafa Fetahu, Ramadan Sali, Sllave Dimitrioski, Dimçe Georgievski dhe shumë emra të tjerë të njohur, që kanë vënë me mund e me djerse themelet e xhudos në vendin tonë.

Këtë manifestim, e përshëndeti Ambasadorja e Mbretërisë së Japonisë, Keiko Haneda, vendit prej ku buron sporti i xhudos. Ekselenca e saj, znj. Haneda mes tjerash foli rreth ndikimit që ka ky sport tek dashamirët e sportit, e veçanërisht tek të rinjtë në Japoni por edhe në tërë Botën, duke u bë çdo ditë e më atraktiv si sport dhe duke tërhequr sa më tepër ndjekës në rang botëror.

Edhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Maqedonisë, z. Vasil Tupurkovski, ju dëshiroi suksese sportistëve duke ju kujtuar se do ta kenë gjithmonë mbështetjen e Komitetit Olimpik të Maqedonisë.

Gjithashtu të pranishmit i përshëndeti edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Arbër Ademi i cili tha se “Përkrahja dhe avancimi i sportit janë garanci për sukses” duke shtuar më tej se “Në periudhën e ardhshme do të vazhdoj me të njëjtin entuziazëm dhe realizim të prioriteteve të përcaktuara, projekteve, masave dhe aktiviteteve të përcaktuara në Programin e punës së Qeverisë, që ta përkrahim sportin në shoqëri dhe nëpër shkolla, ku bën pjesë edhe sporti i xhudos”.

Në fjalimin e tij mjaft motivues, Kryetari i federatës së Xhudos së Maqedonisë, z. Zeglul Rexhepi, i kujtoi sportist së Medalja e Artë, edhe pse quhet e artë nuk është e bërë nga ari, por nga djersët, motivimi, dedikimi, përkushtimi dhe nga një“metal” shumë i rëndë për tu gjetur, i quajtur “guxim”.

Kryetari Rexhepi, në fjalimin e tij, më tej shtoi se: “Miqësia është dera që e hap sporti. Prandaj, pikërisht me këtë moto edhe ne e festojmë për herë të tetë  ditën Botërore të Xhudos. Duke e ngritur miqësinë tonë në nivele më të larta dhe për hir të themeluesit të këtij sporti Jigoro Kano.

Leksioni i parë në xhudo është të mësohesh të rrëzohesh. Nëse nuk ke frikë nga rënia, atëherë je 100 përqind i përgatitur për atë që vjen. Në të kaluarën kemi pasur edhe rënie edhe ngritje, por gjithmonë e kemi ditur se suksesi është aty ku takohet përgatitja dhe mundësia. Si federatë po bëjmë çmos që të sigurojmë mundësi për çdo sportist, për çdo xhudist që të ketë mundësi të barabarta për të garuar dhe fituar. Ta dini, se fituesit asnjëherë nuk dorëzohen, ndërsa ata që dorëzohen, asnjëherë nuk fitojnë.

Xhudo na mëson për karakterin, na mëson të luajmë sipas rregullave, në mëson për ndjenjat, si është kur fitojmë e si është kur humbasim, na mëson për jetën dhe respektin, na mëson për humanitetin. Xhudo e ringjall karakterin tonë.

Medaljet e arta, edhe pse quhen të tilla, ato nuk janë të bëra nga floriri. Të gjithë e dimë se ato janë të bëra bërë nga djersët, përkushtimi dhe një metal shumë i vështirë për tu gjetur, që quhet guxim.

Andaj në këtë ditë të madhe për Xhudon, ua them të gjithë xhudistëve të rinj dhe trajnerëve të tyre: mos vendosni kufijtë askund. Sa më shumë të ëndërroni dhe punoni që ti realizoni ato ëndrra, aq më lart do të ngjiteni. Suksese dhe respekt”.

Në fund të manifestimit ju dhuruan pllakate dhe certifikata falënderimi të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në ngritjen e sportit të xhudos, ndërsa sportistëve ju dhuruan diploma. Ndërsa Kryeministrit Zoran Zaev, iu dhurua Rripi i Zi i Nderit, në shenjë falënderimi për përkrahjen dhe mbështetjen që i jep Qeveria e Maqedonisë në krye me z. Zaev, sportit të xhudos në veçanti.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *