Luftëtarët e UFC-së mund të humbasin pagën
Luftëtarët e UFC-së që morën pjesë në ngjarjen në Florida të organizuar para disa diteve, mund të humbasin pagën e tyre dhe bonuset nëse kritikojnë publikisht protokollin shëndetësor dhe të sigurisë të marrë nga promocioni për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Kështu është e shkruar në një marrëveshje për pjesëmarrjen në ngjarje, njofton agjencia Reuters.
Pasi ngjarjet sportive nëpër botë janë anuluar për shkak të koronavirusit, UFC-ja është duke organizuar tri mbrëmje brenda tetë ditëve në Jacksonville të Floridas.
Por, para se të garonin luftëtarët në mbrëmjen e 9 majit në Florida, atyre iu kërkua të firmosnin një marrëveshje tetëfaqëshe për pjesëmarrrje.
Në këtë marrëveshje është edhe klauzola se “pjesëmarrësi nuk do të sugjerojë apo komunikojë me asnjë person apo entitet se ngjarjet janë mbajtur apo do të mbahen pa masa adekuate shëndetësore, sigurisë apo parandaluese, në lidhje me COVID-19”.
Në marrëveshje thuhet se nëse ndonjëri thyen këtë pikë të marrëveshjes, atëherë UFC-ja mund t’ia ndalë gjithë pagën apo edhe çmimin e fituar në meç.
Luftëtari i peshës së rëndë, Greg Hardy, që vuan nga astma, në konferencë për media të enjten tha se është i tmerruar nga virusi, por ai garoi dhe fitoi me pikë ndaj Yorgan De Castros.
Meçi i peshës së mesme mes Ronaldo Souzas dhe Uriah Hallit u anulua, pasi Souza kishte dal pozitiv me koronavirus me të ardhur në Florida. Ai mori pjesë në matjet zyrtare.
Në mbrëmjen e UFC-së që u mbajt në Florida, Justin Gaethje, bëri befasi duke e mposhtir me nokaut Tony Fergusonin, për të rrëmbyer titullin e përkohshëm të peshës së lehtë në UFC.
Ferguson, që u fut në meç në një seri prej 12 fitoreve rresht, u befasua në raundin e pestë, kur Gaethje fillimisht e sulmoi me këmbë, para se t’i jepte një grusht të fortë, duke detyruar referin Herb Dean, që të ndërhynte.
Me më tepër se 80 mijë të cdekur në SHBA shkaku i pandemisë, UFC-ja është kritikuar që ka organizuar ngjarjen. Ngjarja u mbajt pa shikues dhe me protokolle të rrepta të shëndetësisë dhe sigurisë.
Ndonëse pa shikues, luftëtarëve nuk u mungoi intensiteti. Francis Ngannou shënoi fitore pas vetëm 20 sekondave ndaj Jairizinho Rozenstruikut, duke e rrëzuar me një goditje të fuqishme me të majtën.
Sam Alvey ishte luftëtari i parë që u fut në arenën e zbrazët, duke bërë sikur po i përshëndet tifozët imagjinarë derisa po futej në oktogon. Ai u mposht me pikë nga Ryan Spann.
Me përjashtim të luftëtarëve, referët, komentatorët, stafi, mbajtën maska dhe vetëm një person është lejuar të përkrah luftëtarin në kënd.
Por, befasinë më të madhe e bëri Gaethje, që tash pritet të luftojë me luftëtarin nga Dagestani, Khabib Nurmagomedov, për titullin e lehtë.
“Unë do të pres për titullin e vërtetë”, ka thënë Gaethje.