Lojërat Olimpike në Tokio duhet të anulohen nëse nuk mbahen vitin e ardhshëm
May 22, 2020
0 comments
Share

Lojërat Olimpike në Tokio duhet të anulohen nëse nuk mbahen vitin e ardhshëm

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, thotë se e kupton se nuk është e mundur që të shtyhen sërish Lojërat Olimpike Verore në Tokio. Ai ka thënë se nëse nuk mbahen vitin e ardhshëm atëherë duhet të anulohen.

Lojërat Olimpike në Tokio, që ishin paraparë të mbahen këtë vit, janë shtyrë për një vit shkaku i pandemisë COVID-19.

Organizatorët kanë thënë se nuk kanë një plan për shtyrje të serishme.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka pranuar se do të jetë e vështirë të organizohet ngjarja e madhe sportive nëse nuk frenohet virusi. E kreu i Asociacionit Mjekësor të Japonisë ka thënë se varet nga zbulimi i një vaksine.

I pyetur direkt për këtë çështje Bach ka thënë: “Për këtë pyetje, ne mbështetemi në këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ne kemi marrë vendim që Lojërat Olimpike do të organizohen në një ambient të sigurt për gjithë pjesëmarrësit. Asnjëri nuk e di se si do të duket bota pas një viti, apo pas dy muajve. Kështu që duhet të mbështetemi te ekspertët dhe të marrim vendimet e duhura”.

Lojërat Olimpike Dimërore janë paraparë të mbahen në Pekin në vitin 2022, vetëm gjashtë muaj pas atyre Verore në Tokio.

Bach ka thënë se Abe e ka bërë të qartë se vera e ardhshme është afati i fundit për organizimin e Lojërave Olimpike Verore në Tokio.

“Unë mirëkuptoj këtë, pasi nuk mund të mbash përgjithmonë në punë 3000 deri 5000 njerëz në Komitetin Organizativ. Nuk mund të ndryshosh çdo vit orarin sportiv në mbarë botën. Nuk mund të mbash sportistët në pritje. Unë e kam një mirëkuptim për këtë qasje të partnerëve japonezë”, ka thënë Bach për BBC.

I pyetur se sa është i bindur se do të organizohen Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm, Bach ka shtuar: “Duhet të jemi të përgatitur për skenarë të ndryshëm. Është një angazhim për organizimin e këtyre lojërave në korrik të vitit të ardhshëm”.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *