Ky është zotimi i madh i Aziz Salihut!
Aziz Salihu zotohet se nuk do të ketë më shtyrje të turneut ndërkombëtar në boks, “Faleminderit SHBA dhe Diasporë”.
Kryetari i klubit të boksit Prishtina, Aziz Salihu, shpreson se turneun do ta mbështesin institucionet shtetërore, si Qeveria e Kosovës, Ministria e Sportit dhe po ashtu i ka premtuar mbështetje edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
“Pas gjithë këtyre mundimeve do të mbajë turneun ‘Faleminderit SHBA dhe diasporë’. SHBA-të dhe diaspora na kanë ndihmuar si në kohën e luftës si tani dhe jam i lumtur që do t’i nderojë me këtë turne”, tha Salihu në konferencë me gazetarë.
“Çka janë 5-7 mijë euro për ta mbështetur këtë turne, që organizohet për të falënderuar SHBA-të dhe diasporës. Do të ketë ndeshje të forta e cilësore. Turnetë si gjithherë kanë qenë të mira që i kam organizuar kështu do të jetë edhe tani. Lus qeverinë që të më ndihmojë sepse deri me tash 80 për qind për mbajtjen e turneve kam shpenzuar nga xhepi, 20 për qind më ndihmuan të tjerët”, tregon ‘Zizi’.
Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984, është i zhgënjyer me përkrahjen që ka deri me tash.
“Nuk e kam pritur se më vjen dita e më harrojnë. Prishtina historikisht ka qenë klubi më i mirë në botë. Është gjynah që nuk e kemi një sallë si klub i boksit Prishtina, që nuk kushton më shumë se 40-50 mijë euro”, tha Salihu.
Gazmend Gashi, drejtor sportiv i KBO Prishtina, tha se në turne marrin pjesë shtatë klube.
“Jemi në fazën finale të turneut. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shtatë shtete: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, Gjermania dhe pjesëmarrës janë edhe boksierët e Kosovës.
Do të mbahen tetë meçe, plus 3-4 parameçe me të rinjtë dhe priten meçe cilësore. Pritet të marrin pjesë përafërsisht 40 boksierë”, thotë Gashi.