Khan: U riktheva me një mision, do të jem mbreti i peshës “welter”
Boksieri britanik Amir Khan do të duelojë më 8 shtator ndaj kolumbianit Samuel Vargas në Birmingham, një duel i vlefshëm për peshën “welter”, sfidë që sipas Khan do t’i hapë dyert drejt rikthimit kampion bote në këtë Divizion. Edhe pse Vargas e konsideron britanik si “plak”, duke parashikuar një fitore me “KO”, 31-vjeçari Khan ka deklaruar të kundërtën, duke u shprehur gati për luftë. Pak ditë para sfidës, britaniku deklaroi se u rikthye pas një periudhe të gjatë pushimi për të rimarrë titullin kampion.
“Nuk kam nevojë të ndryshoj peshë për t’u rikthyer kampion. Kam qenë boksier i peshës “welter” dhe i tillë do të mbetem. Ajo që kërkoj tani është të ngjitem në majë të këtij Divizioni, duke u shpallur luftë të gjithë boksierëve. Unë dua të fitoj sërish titullin kampion. Pas kësaj sfide do të ketë edhe mjaft të tjera, ku do të duelojë vetëm për të marrë të gjithë titujt e të gjitha kategorive. Por do t’i hedh hapat një e nga një”, u shpreh boksieri britanik, që vazhdon përgatitjen në Gossen dhe javën e ardhshme do të shkojë në Birmingham.